Lutja(duaja)

0 16

Lutja – duaja drejtuar Allahut është nga shkaqet më të forta
për largimin e çdo të keqe dhe për realizimin e asaj që
kërkohet.
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Nuk e kthen
caktimin veçse lutja…” [Tirmidhiu, 2139]. Caktimi që përmendet
në hadith është për qëllim ajo që do të ndodhte nëse nuk do të
bëhej lutja; kur njeriu, duke u nisur nga shkaqet dhe
rrethanat aktuale mendon se do ta gjejë diçka e keqe dhe i
lutet Allahut t’ia largojë atë, Allahu ia largon atij dhe
kështu, vetë ai që bën lutjen beson se Allahu i ka larguar
diçka të keqe që mund ta kapte nëse nuk do t’i lutej Allahut
që ta ruante prej saj. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem)
gjithashtu ka thenë: “Lutjuni Allahut të bindur se do t’ju
përgjigjet dhe dijeni se Allahu nuk e pranon lutjen e një
zemre të pavemendshme.” [Hadith Sahih. E ka nxjerrë Tirmidhiu,
3479] Pra, lutja është ilaç i dobishem për çdo të keqe dhe për
çdo semundje, por pavemëndësia e zemrës ndaj Allahut të
Madhëruar e humb fuqinë e saj, ashtu si edhe ngrënia e haramit
i humb fuqinë lutjes dhe e dobëson atë. Duaja është ilaçi më i
mirë, armiku i sëmundjes, larguesi dhe shëruesi i saj,
penguesi i prekjes nga ajo dhe ngritësi i saj nëse zbret.
Duaja e ka efektin më të fortë nëse përsëritet sa më shpesh
dhe sa më shumë, pa e humbur shpresën nga përgjigja e saj, por
duke vazhduar gjithnjë me dua, sepse Allahu nuk e kthen bosh
atë. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thenë: “Lutja e
Dhenunit, me të cilën ai iu lut Allahut kur ishte ne barkun e
balenës, ishte: “La ilahe il-la ente subhaneke inni kuntu mine
dhalimin” – “Nuk ka Zot të adhuruar tjetër përveç Teje, i
Lartësuar je Ti! Unë isha prej të padrejtëve.” [El Enbija,
87]. Nuk ka musliman që lutet me këtë lutje për çdo gjë që të
ketë, veçse Allahu i përgjigjet lutjes së tij.” [Hadith Sahih.
Tirmidhiu 3505, etj]. Duaja duhet gjithashtu që të përkrahet
dhe të ndihmohet nga veprat e mira, si namazi farz e nafile,
agjërimi farz e nafile, sadakaja (lëmosha), leximi i Kuranit,
përmendja e Allahut sa më shumë gjatë ditës e natës, në
mëngjes e në mbrëmje, respektimi i prindërve, mbajtja e
lidhjeve farefisnore, moralet e mira, etj.
Dije, se kujt i inspirohet bërja sa më shumë lutje Allahut,
Allahu ka dashur t’i përgjigjet lutjes së tij, sepse Allahu
thotë: “Lutmuni Mua, që t’i pergjigjem lutjes suaj!” [Gafir,
60] “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, (thuaju se) Unë
jam afër! I përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet. Ndaj,
të më përgjigjen Mua dhe të besojnë tek Unë, që të udhëzohen
drejt!” [El Bekare, 186].

You might also like More from author